54-vjeçari Petrit Lutfi Minçe ka humbur jetën një ditë më parë aksidentalisht në lagjen nr. 6 te qytetit të Durrësit. Në vendin e ngjarjes ende ka mbetur vegla e tij e punës, me të cilën po punonte.

Nga pamjet filmike duket qartë se kablli i pajisjes është shkëputur, pasi viktima ka tentuar të mbahet në të, kur ka humbur ekuilibrin.

Minçe ishte duke vendosur një tendë në një prej apartamenteve në pallatet e lagjes nr.6, kur humbi ekuilibrin dhe ra nga kati i tretë i godinës.

Pavarësisht ndihmës së specializuar mjekësore, 54- vjeçari që njihej nga shumëkush në Durrës si njeri shumë punëtor dhe baba e bashkëshort i përkushtuar, mbylli sytë në spital.

Ai la pas 3 fëmijë. Ceremonia mortore për të ndjerin do të bëhet në orën 14.00, në varrezat e reja të qytetit.