Kanë marrë kthesë hetimet për 45-vjeçaren greke, e cila pasi u arrestua si e dyshuar për vrasjne e një të moshuare, deklaroi se kishte vrarë edhe katër persona të tjerë.

Por pas hetimeve ka rezultuar, se dy nga vrasjet e pretenduara ekzistojnë vetëm në mendjen e saj, pasi në certifikatat e vdekjes të lëshuara nga mjekët për të moshuarat e moshës 86 dhe 70 vjeçe, nuk ka prova se janë vrarë.

Megjithatë, priten rezultatet e analizave toksikologjike. Për 86-vjeçaren, e cila vuante nga diabeti, shërbyesja e shtëpisë kishte pohuar se në janar ose shkurt të vitit të kaluar i kishte futur një sasi të madhe sheqeri në kos që i jepte me shiringë orale dhe e moshuara përfundoi në spital pas disa ditësh.

Për 70-vjeçaren obeze, e cila ishte shtrirë në shtrat pasi vuante nga demencia, ajo pretendoi se e kishte goditur në kokë dhe vdiq në spital pesë ditë më vonë.

Megjithatë, familjarët e të moshuarës pretendojnë se vdekja e saj ka ndodhur shumë kohë më pas dhe e kishin pushuar 45-vjeçaren nga puna.

Deri më tani, e arrestuara është akuzuar për vrasjen e 75-vjeçares për të cilën ajo kujdesej dhe dyshohet se i vendosi një jastëk mbi kokë, duke i mbytur sepse nuk e linte të flinte. 45-vjeçarja vuan nga skizofrenia, për të cilën ishte shtruar në spital në të kaluarën, por mësohet se i kishte ndërprerë mjekimet.