Data 6 dhjetor, ditë kur do të zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor, do të jetë ditë pushimi zyrtar për Tiranën, ku 45 delegacione pritet që të vijnë në kryeqytet për këtë samit.

I gjithë bulevardi do të jetë me perimetër sigurie, ku nuk do të lejohet të kalojë askush që është i paakredituar. E bllokuar po ashtu do të jetë edhe “Unaza”.

Qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Rinasit duhet të gjejnë rrugë të tjera alternative pasi rruga kryesore do të jetë e bllokuar gjithashtu. Këto masa merren në kuadër të sigurisë së samitit të BE-së në Tiranë. Në këtë mënyrë, administrata dhe shkollat do të jenë pushim.

Kujtojmë ndër të tjera që Policia e Tiranës do të marrë masa dhe do të bllokojë edhe disa rrugë të tjera. Për shkak të perimetrit të sigurisë, uniformat blu nuk i kanë dhënë leje PD-së që protesta e tyre e paralajmëruar më 6 dhjetor të zhvillohet në bulevard.

Por kreu i Partisë Demokratike, përmes një konference tha se do të dalë në shesh me qytetarët për vlerat europiane.

“Nuk ka forcë në botë që të pengojë mbajtjen e atij tubimi me datën 6 në ora 12:00 do të mbushë bulevardin e Tiranës, si kurrë në historinë e tij”, tha Sali Berisha.