Duke filluar nga 1 dhjetori sektori bankar do të ketë zyrtarisht 11 banka.
Bankat OTP Albania dhe Alpha Bank Albania do të bashkohen ligjërisht, duke finalizuar procesin e nisur pas blerjes së bankës së fundit greke në Shqipëri nga grupi hungarez OTP.
Bashkimi mes dy bankave u miratua gjatë muajit nëntor nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.
Bashkimi me përthithje i Alpha Bank Albania me OTP Albania është i katërti në sektorin bankar shqiptar në pesë vitet e fundit, pas atij të Veneto Banka me Intesa Sanpaolo Bank Albania, NBG Albania me Bankën Amerikane të Investimeve (ABI Bank) dhe Bankës Ndërkombëtare Tregtare me Union Bank.
Marrëveshja mes grupit grek Alpha Bank dhe atij hungarez OTP për blerjen e Alpha Bank Albania u njoftua zyrtarisht në fund të muajit dhjetor 2021. Grekët zgjodhën ofertën e hungarezëve prej 55 milionë eurosh për blerjen e 100% të aksioneve të bankës, megjithëse oferta e OTP ishte e dyta më e lartë në garë. Për grupin hungarez, kjo ishte blerja e dytë e rëndësishme në tregun shqiptar në më pak se katër vjet. Në vitin 2019, OTP hyri në Shqipëri duke blerë bankën shqiptare të grupit Societe Generale.
Banka OTP Albania në fund të muajit shtator ishte banka e pestë më e madhe në Shqipëri dhe zotëronte 6.5% të aktiveve të tregut bankar, për një vlerë totale prej 121.6 miliardë lekësh. OTP është huadhënësi i katërt më i madh në ekonominë shqiptare, me një portofol prej 75.7 miliardë lekësh ose 10.8% të totalit të kredisë së dhënë nga sektori bankar.
Ndërsa Alpha Bank Albania, sipas raportimeve më të fundit (qershor 2022), kishte një vlerë totale të aktiveve prej 72.5 miliardë lekësh ose 3.9% të tregut.
Me blerjen e Alpha Bank, pjesa e tregut e OTP në Shqipëri pritet të arrijë në afërsisht 10.4% dhe do të vazhdojë të renditet e pesta në treg për nga madhësia, pas BKT, Credins, Raiffeisen, dhe Intesa Sanpaolo. Megjithatë, OTP do të fitojë një pjesë ndjeshëm më të larta në tregun e kredisë, ku do të arrijë në mbi 15.2% të totalit, duke kaluar BKT dhe duke u renditur si huadhënësi i tretë më i madh, pas Credins Bank dhe Raiffeisen Bank. Blerja e Alpha do t’i japë OTP një rritje të konsiderueshme edhe në tregun e depozitave, ku aktualisht mban 6.9%, ndërsa pas blerjes së Alpha do të arrijë në 10.9%, afërsisht me të njëjtën pjesë tregu sa Intesa Sanpaolo.
Të marra së bashku, OTP dhe Alpha kanë gjithsej 73 degë, por është e pritshme që një pjesë e tyre të mbyllen pas bashkimit mes bankave.
Sipas të dhënave më të fundit të raportuara, numri i përgjithshëm i punonjësve për të dy bankat ishte 870, përkatësisht 504 punonjës për OTP dhe 366 në Alpha Bank. Pritet që bashkimi mes bankave të sjellë edhe shkurtime të personelit, por më marrëveshjen e bashkimit me përthithje nuk ka përcaktime lidhur me numrin e përafërt të punonjësve që do të humbasin vendin e punës.
Për sa i takon drejtuesve të lartë ekzekutivë, grupi hungarez ka vendosur të konfirmojë bordin aktual menaxhues të Bankës OTP Albania dhe Bledar Shella do të vazhdojë të mbajë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm./Monitor