Një ditë pasi dolën faturat e hoteleve luksoze ku ka pushuar Arben Ahmetaj, ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim ka postuar një editorial për fenomenin e korrupsionit në Shqipëri te zyrtarët politik.

Në editorialin e publikuar në faqen zyrtare të ambasadës së SHBA-së në “Facebook”, ambasadorja amerikane shprehet se “me ndihmën e SHBA-së, Shqipëria krijoi një Organ të Posaçëm Kundër Korrupsionit si një ent i ri elitar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Në shkrim përmenden arrestimet e muajve të fundit, ku pas hetimeve nga Prokuroria e Posaçme, janë vënë në pranga ish-ministra, deputetë, gjyqtarë dhe zyrtarë të tjerë.

Shkrimi i plotë:

Teksa shënuam Ditën Ndërkombëtare Anti-Korrupsion dje, është me rëndësi që të rigjallërojmë përpjekjet tona për t’i dhënë fund murtajës së korrupsionit. Korrupsioni iu vjedh qytetarëve dhe brezave të ardhshëm pasurinë dhe shpresën. Ai than rritjen ekonomike, pengon zhvillimin, minon demokracinë, si dhe iu hap dyert kriminelëve, trafikantëve dhe terroristëve.

Prandaj Presidenti Biden, për herë të parë, e përcaktoi anti-korrupsionin si interes thelbësor të sigurisë kombëtare dhe bëri publike një Strategji ambicioze të Shteteve të Bashkuara për t’iu Kundërvënë Korrupsionit. Për ta vënë në zbatim strategjinë, Shtetet e Bashkuara punojnë anembanë globit për të ndihmuar vendet që të parandalojnë ryshfetin, të mbështesin hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit, promovuar transparencën, si dhe fuqizuar shoqërinë civile dhe median e pavarur për të zbuluar korrupsionin.

Këtë javë, qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe Transparency International organizuan Konferencën e 20 Ndërkombëtare Anti-Korrupsion, të përqendruar te mbrojtja e vlerave demokratike nga korrupsioni. E vlerësojmë pjesëmarrjen e zyrtarëve të qeverisë, gazetarëve dhe përfaqësuesve të OJQ-ve në të, përfshi nga Shqipëria.

Shtetet e Bashkuara e mbështesin luftën kundër korrupsionit me veprime të qarta. Ne financojmë reforma në drejtësi, përfshi me BE-në dhe partnerë të tjerë. Mbështesim median investigative dhe organizatat e shoqërisë civile që luftojnë korrupsionin. Përdorim shpalljet non grata dhe sanksionet ndaj aktorëve të korruptuar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Për shembull, Presidenti Biden nënshkroi në qershor 2021 një Urdhër Ekzekutiv të ri, i cili përqendrohet te krijimi i kostove për ata që përfshihen në veprimtari që minojnë institucionet demokratike dhe destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, përfshi në Shqipëri. Ky Urdhër Ekzekutiv është përdorur tashmë për të sanksionuar aktorë të korruptuar.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të intensifikojnë përpjekjet tona për t’u përballur me korrupsionin dhe për t’iu kërkuar llogari aktorëve të korruptuar. Pse? Sepse ne duam ta shohim Shqipërinë – mike dhe aleate e jona në NATO – të rritet më e fortë dhe më e pasur. Korrupsioni përbën një cënueshmëri të sigurisë kombëtare, kufizon dhe shtrembëron investimet, si dhe minon demokracinë.

I nxisim institucionet e drejtësisë të Shqipërisë që të bashkohen me ne për ta ngritur anti-korrupsionin si çështje qendrore – për të bërë të qartë se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, që askush nuk është mbi ligjin, që ditët e pandëshkueshmërisë po i afrohen fundit, që populli Shqiptar mund të mbështetet tek institucionet shqiptare për të dhënë drejtësi, dhe që cilido ka një mundësi të drejtë dhe të barabartë për sukses në Shqipëri.

Institucionet shqiptare po bëjnë përparim kundër korrupsionit por ka shumë më tepër për të bërë. Lufta kundër korrupsionit është një proces i gjatë dhe i vështirë por suksesi është i mundur. Asnjë vend nuk ka imunitet. Secili vend, përfshi Shtetet e Bashkuara, e lufton korrupsionin çdo ditë. Sfida e Shqipërisë nuk është aspak unike – as nuk është e pakapërcyeshme.

Gjatë vitit të fundit, institucionet shqiptare kanë filluar të ndjekin penalisht çështje që më parë as nuk do ishin prekur. Uniteti ynë si aleatë në NATO ka arritur nivele të reja. Shqipëria ulet me Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Këtë verë, Shqipëria hapi bisedimet për anëtarësim me BE-në, një arritje e jashtëzakonshme që duhet ta bëjë krenar çdo shqiptar.

Gjatë këtij 100-vjetori të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, përkushtimi ynë ndaj popullit Shqiptar është më i fortë se kurrë. Rruga përpara – drejt anëtarësimit në BE, drejt drejtësisë – mund të jetë e vështirë, por Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura për të qenë në krahun tuaj çdo hap, në mënyrë që të ecim përpara së bashku. Gjithnjë përpara, gjithnjë bashkë.