Kryeministri Edi Rama ka reaguar për sulmet ndaj EULEX në veri të Kosovës.

“Sulmet mbi EULEX Kosovo janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës.

Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës,bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!

Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!

Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet!

Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.”, shkruan Rama.

Kujtojmë se sot, EULEX njoftoi se ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Radarë është hedhur një bombë çorientuese (shok-bombë), nga e cila nuk ka lëndime në njerëz e as dëme materiale.

Njoftimi i plotë i EULEX-it:

Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.

Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar.

EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet.

Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë.