Ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, ndërsa ka zbardhur takimet në KLP.

Përmes një reagimi në Twitter Kim bën thirrje që ky proces mos të jetë i ndikuar nga ata që ata që kanë interes për të kufizuar apo manipuluar hetimet.

REAGIMI
Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili – pa frikë dhe favor – do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. 🇺🇸 do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë.
Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara.