Ndërtimi i portit të ri të Durrësit vijon të mbetet një temë e nxehtë debati në politikën shqiptare.
Anëtari i kryesisë së PD-së Eno Bozdo, ka akuzuar qeverinë Rama se po përdor dy standarde për qëllime përfitimesh monetare.
“Qeveria ka vendosur që të hapë garën ndërkombëtare për një projekt që kushton 390 milionë euro, pasi ka hartuar së bashku me konsulentin ndërkombëtar, të gjitha studimet përkatëse.
Pyetjet që ne ngremë sot janë:
Përse kjo skemë nuk u zbatua edhe me projektin e ndërtimit të apartamenteve, hoteleve dhe marinës, domethënë në projektin Alabar që kushton 2 miliardë euro?
Përse gara që zv/kryeministrja Balluku e konsideron të domosdoshme, nuk u aplikua edhe në rastin e projektit Alabar?
Përse u negociua drejtpërsëdrejti me Alabar, pa hapur garën dhe vendosur kritere specifike?
Përse 80 deri në 150 ha i jepen pa garë Alabar, për të ndërtuar dhe fituar?
Përse Alabarit i falen 150 milionë euro, në taksa?
Përse toka e ndërtimit i jepet me 1 euro, ndërsa për Portin e ri të Durrësit u dashka hapur gara?
Përse nuk u mor një konsulent ndërkombëtar që të përgatitej një projekt ndërkombëtar dhe i gjithë projekti të tenderohej ndërkombëtarisht?
Cilin standard duhet të besojmë: atë që qeveria prezanton përpara ambasadorëve, apo atë që Rama zbaton me mikun e tij, Alabar?” tha Bozdo.
Sipas demokratëve, projekti i ndërtimeve Alabar, mbetet vjedhja më e madhe e pronës publike të Shqiptarëve.
“Projekti i ndërtimeve “Alabar” është vjedhja më e madhe e pronës publike, korrupsioni më harbut dhe arrogant që kjo qeveri ka bërë ndonjëherë. Rama zgjodhi të mos hapte garën, sepse Alabar është mik dhe klient i tij, dhe Rama mikut i dhuron, sigurisht jo thjesht në emër të mirësisë, pronën më strategjike të shtetit shqiptar, portin aktual të Durrësit.
Madje duke bërë këtë, ka guximin e të paturpshmit kur ia shet durrsakëve dhe shqiptarëve, si “zhvillim dhe ekonomi”. E vërteta është që ia sapo i ka vjedhur Durrësit dhe gjithë Shqipërisë asetin më të vlefshëm, dhe e ka bërë këtë vetëm për përfitim të tij”.