Partia Demokratike e Kosovës, PDK, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, sot kanë bërë të ditur se nuk do të jenë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të Presidentes Vjosa Osmani.
PDK tregoi se s’do të jetë pjesë e seancës sepse, konsideron se është tërësisht farsë dhe pa asnjë përmbajtje.
“Grupi Parlamentar i PDK-së konsideron se organizimi i sotëm i fjalimit vjetor të Presidentes Vjosa Osmani, para deputetëve të Kuvendit, është një tjetër spektakël i pushtetit, që përmes rregullave formale të raportimit para Kuvendit, të mbulojë dështimin e mospunës së Presidentes.
Gjuha jo unifikuese, tejet polarizuese dhe përçarëse e presidentes Osmani, apo heshtja kur e ka obligim të jetë në shërbim të çdo qytetari nga frika se mos nuk është në pajtim me partnerin e saj politik, janë shembuj tipik të një personi që nuk është kredibil ta ushtrojë detyrën shtetërore që aktualisht e gëzon.
Shembujt për këtë janë të shumtë, përfshirë edhe ato të ndërhyrjeve në punësime të familjarëve, shkarkimeve politike dhe mosmbështetjes së punonjësve në sektorin e arsimit, atë të shëndetësisë dhe shërbyesve civilë.”, bëri të ditur PDK.





