Me zgjedhjet lokale në prag, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rritur nivelin e gatishmërisë për çdo kërcënim të mundshëm kibernetik.
Skandali i nxjerrjes së të dhënave te shqiptarëve në shesh bën të domosdoshëm marrjen e masave që pajisjet elektronike që do të përdoren në vendoret 2023, të mbahen larg hakerave.
“Për fat të keq, por në një lloj mënyre, ne do të duhet ta shfrytëzojmë, megjithëse jo gjithmonë nga pësimet nxirren mësime, por pësimet e fundit me të cilat ne jemi ballafaquar si shtet ka rritur vëmendjen e institucionit të KQZ përsa i përket sigurisë në përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe me partner të ndryshëm po përpiqemi të kuptojmë se cila mund të jenë ato pika që mund ti nënshtrohen vulnerabiliteteve të ndryshme me qëllim që për zgjedhjet e ardhshme vendore të mos kemi asnjë lloj problem“, tha Celibashi. Të dy sistemet që do të përdoren për zgjedhjet e pranverës, si identifikimi biometrik i zgjedhësve ashtu edhe votimi dhe numërimi i pjesshëm elektronik nuk janë të lidhura me rrjete te jashtme, një garanci shtesë për të mbajtur duart e manipuluesve larg zgjedhjeve, por për Kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, ka një pikë që mund të ekspozojë sistemin përballë rrezikut te një sulmi kibernetik.
“Megjithatë do të vij koha dhe momenti në një mënyrë ose tjetër këto sisteme do të duhet të komunikojnë duke shfrytëzuar rrjetin e internetit, minimalisht për të bërë transmetimin e rezultateve apo të dhënave përkatëse, ndaj është me rëndësi të dorës së parë ne të tregojmë të gjithë kujdesin e duhur sa i përket çështjes së sigurisë”, deklaroi Celibashi.
Në zgjedhjet e 14 Majit krahas identifikimit biometrik në të gjithë vendit do ketë votim dhe numërim elektronik vetëm në Bashkinë e Vorës, pasi kërkesa e KQZ adresuar qeverisë për më shumë para, për të shtuar pajisjet që mundësojnë rezultatet në kohe rekord në 6 Bashki të mëdha ka rënë në vesh të shurdhët.