Një familje shqiptare në SHBA, fajëson Departamentin e Policisë së New York-ut dhe shërbimin e emergjencës për vdekjen e babait të tyre, pasi ai u godit nga një makinë në Queens. Sipas asaj që shkruajnë mediat amerikane, 70-vjeçari Genti Frashëri, i cili jetonte në Whitestone, vdiq në nëntor, 3 ditë pasi u godit nga automjeti teksa po ecte në rrugë.

Familja e tij ka ngritur një padi dhe kërkon 20 milionë dollarë dëmshpërblim, me pretendimin se ai u transportua në spital me gati 1 orë vonesë.

“Ai po lëkundte këmbët e krahët, një gjendje që ndodh në momentin kur dikush pëson dëmtim në tru, ajo që i ndodhi edhe atij. Dhe në vend se ta dërgonin menjëherë në spital, ata e akuzuan për sulm, e akuzuan për krim ndërkohë që ai dergjej përtokë me fraktura në kokë”, tha avokati i familjes Frashëri, Sanford Rubenstein.

“Nëse do të ishte trajtuar me urgjencë dhe përkujdesjen që kishte nevojë në momentin kur ndodhi ngjarja, ai mund të kishte mbijetuar”, tha vajza e viktimës, Enika Sopiqoti.

Sipas padisë, ambulanca e parë që shkoi në vendngjarje u largua pa e marrë 70-vjeçarin për shkak se sipas pretendimit të punonjëses, ai e goditi me grushta e shkelma. Ajo kërkoi ndihmën e policisë për ta arrestuar dhe ambulanca u largua nga vendi i ngjarjes.

Më shumë 50 minuta kaluan nga ambulanca e parë dhe kur u dërgua në spital, shqiptari ishte i prangosur.

Familja e tij thotë po ashtu se ai u shpall i vdekur klinikisht të nesërmen në mëngjes, por policia insistoi që ta mbante të prangosur.

Sa i përket akuzave se ai sulmoi punonjësen e emergjencës, familja e tij thotë se ai po lëvizte në mënyrë të pakontrolluar për shkak të dëmtimit në tru.

Familjarët po ashtu shtojnë se stafi i spitalit i tha se nuk kishin parë kurrë më parë që dikë të akuzohej për krim në një situatë të tillë.

Prokuroria në New York po vijon hetimet për ngjarjen.