Shqiptarët e përdorin shumë pak internetin për të kryer shërbime bankare, për të gjetur një punë, për të realizuar shitjen e mallrave apo shërbimeve, duke u renditur ndër të fundit në Europë.
Por të dhënat e Eurostat, në publikimin për përdorimin e internetit në Europë tregojnë se ata janë ndër të parët kur bëhet fjalë për të shprehur opinionet politike apo qytetare në rrjetet sociale (me të dhënat që i referohen vitit 2021, për personat që e kanë përdorur internetin gjatë tre muajve të fundit).
Sipas Eurostat, 26.5% e përdoruesve shqiptarë të internetit të moshës nga 16 deri në 74 vjeç e përdorin internetin për shprehjen e opinioneve për çështjet politike apo qytetare në faqe interneti e rrjete sociale, gati 10 pikë përqindje më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian.
Ndërsa psh për përdorimin e bankingut online, Shqipëria është e fundit në Europë, me vetëm 5.24% që e përdorin atë (nga 58% mesatarja europiane dhe 96% shteti me renditjen më të lartë, Norvegjia dhe Islanda), kur bëhet fjalë për të shprehur opinionet politike, vendi ynë renditet i gjashti, pas Islandës, Finlandës, Danimarkës, Luksemburgut dhe Italisë.
Banorët e shteteve të tjera të rajonit janë shumë më pak të interesuar për të shprehur opinionet e tyre politike apo qytetare përmes rrjeteve sociale. Bosnjë Hercegovina dhe Serbia, janë të fundit në Europë, me më pak sesa 8%, Mali i Zi gati 12%, ndërsa pas nesh më të lartë përfshirjen sociale në rrjete e ka Maqedonia e Veriut, me 22%.
Ndonëse i preferojnë rrjetet për të shprehur opinionet ndaj politikës, për t’u informuar shtetasit shqiptarë vijojnë të përdorin kanalet tradicionale, sidomos televizionin.
Sipas Eurostat, vetëm 46% e përdoruesve të internetit lexojnë lajme online dhe revista, përqindje që është më e ulëta në Europë dhe shumë poshtë mesatares europoiane prej 64%.
Përveç shqiptarëve, më pak të interesuar për të lexuar lajme online janë dhe bullgarët (55.4%), turqit (53.6%), italianët (52%), rumunët (49%), ndërsa më të interesuarit janë islandezët dhe norvegjezët (rreth 94-95%).
Në fund të Europës përdoruesit shqiptarë renditen edhe për kryerjen e kurseve online (vetëm 2.5%), marrjen dhe dërgimin e e-mail (26.6%), gjetjen e informacionit për mallra e shërbime (44%, të parafundit në Europë përpara Rumanisë), kërkimi i punës (4.91% e parafundit në Europë, përpara Bosnjës dhe Hercegovinës).
Përdorimi absolutisht më i ulët është për shitje online, me vetëm 0.54% të përdoruesve, nga 18% që është mesatarja e BE-së dhe 43% që e ka Holanda, e para në Europë.
Përveçse për të shprehur opinione për politikën, vendasit e përdorin internetin për telefonata ose video telefonata (78%),
61% e përdoruesve deklarojnë se ata janë aktivë në rrjete sociale, por duke u renditur ndër 10 të fundit në Europë. /Monitor