Ditën e sotme pritet që të zgjidhet kreu i ri i SPAK. Tre kandidatët në garë janë prokurorët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

Drejtuesi në detyrë i SPAK, Arben Kraja, u ka uruar sukses kandidatëve. Ai ka publikuar mëngjesin e kësaj të premteje një foto me 3 prokurorët Xholi, Dumani dhe Kondili.

Kraja thotë në postimin e tij se “SPAK do të vazhdojë të përmbushë detyrimet ligjore me efektivitet dhe me të lartë”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të intervistojë fillimisht tre kandidatët për postin e drejtuesit që do të drejtojë këtë institucion që heton krimin dhe korrupsionin në nivel të lartë.

I pari që do të paraqesë platformën para anëtarëve të KLP-së është Adnan Xholi dhe më pas do të vijojë Altin Dumani e Edvin Kondili.

Ndërkohë pas dëgjimit të tre prokuroreve, anëtarët e KLP-së përmes një votimi të hapur, do shprehin vullnetin e tyre për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme.

Kreu aktual i SPAK, Arben Kraja, përfundon mandatin në datën 19 dhjetor.