Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama se në bashkëpunim me presidentin serb Vuçiç kanë thyer sanksionet e perëndimit ndaj Rusisë duke lejuar kalimin në portin e Durrësit të anijeve me mallra ruse dhe serbe.

Duke ju referuar mediave të Malit të Zi, PD i ka bërë thirrje NATO-s të shtojë monitorimin e hapësirës shqiptare.

Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka

Edi Rama, avokati dhe vasali i padronit të tij Vuçiç, jo vetëm ka mbrojtur publikisht dhe në çdo takim ndërkombëtar, thyerjen nga Serbia të sanksioneve të BE dhe NATO-s ndaj Rusisë, por sipas medias malazeze, ai vetë ka lejuar thyerjen nga Shqipëria të embargos të vendosur nga Perëndimi kundër Rusisë.

Anije me mallra ruse dhe serbe, të denoncuara disa herë nga Partia Demokratike, me destinacion Serbinë dhe Rusinë, kanë përdorur portin e Durrësit, si portën e shqyer të Europës, folenë e korrupsionit dhe trafiqeve ndërkombëtare, duke mbajtur të hapur tubin e oksigjenit për Putinin, makinerine e tij te luftes dhe genocidit ndaj Ukrainës dhe majmur padronin e tij, serbomadhin Vuçiç.

Edi Rama dhe tregtarët e tij të sigurisë kombëtare janë të parët dhe të vetmit thyerës të embargos ndërkombëtare kundër Rusisë, per interesa te kesaj te fundit dhe “Rusisë së Vogël” në rajon.

Për një vend të NATO-s dhe kandidat të BE, kjo është dyfish e dënueshme dhe dyfish skandaloze. Per kombin shqiptar kjo është nje tradhti e hapur kombetare.

Ky akt kriminal ndërkombetar dëshmon se Edi Rama për pushetin e tij është gati të lidhet me armiqtë e vjetër dhe të rinj të Shqipërisë dhe të Perëndimit, dhe të përdorë hapësirën e një vendi të NATO-s për të furnizuar dhe lehtësuar operacionet e një regjimi që është në luftë me Aleancën.

Partia Demokratike e dënon me forcë këtë akt sabotazhi, tradhtie dhe skuthërie të Ramës dhe të veglave të tij, që për një grusht para janë gati të nxjerrin në ankand sigurinë e vendit.

Kjo vërteton, jo vetëm tradhtinë ndaj Perëndimit dhe popullit të vet, ai me kete akt e rendit Shqiperine si pjesë të “Boshtit të së keqes”, nga Moska në Beograd dhe “Aleances së rublave dhe dinarëve”.

Partia Demokratike i bën thirrje NATO-s të shtojë monitorimin e hapësirës shqiptare, duke kujtuar se bëhet fjalë, jo vetëm për territorin e një vendi aleat, por edhe sigurinë e publikut, dhe për më shumë interesat jetike afatgjata të kombit shqiptar në Ballkan. Përdorimi i portit të Durrësit në funksion të Vuçiçit dhe Putinit është shqyerje e portave të sigurisë kombëtare, shenjë se funksionet gjeostrategjike të Shqipërisë u nënshtrohen interesave të armiqve tane, dhe jo interesit kombëtar.

Porti i Durrësit është tashmë porta e të gjitha trafiqeve ndërkombëtare me leje qeveritare. Tonelatat e drogës nga Amerika Latine, ato që janë kapur dëshmojnë vetëm se sa herë më shumë kanë kaluar, dhe anijet me naftë nga Libia, një tjetër vend në embargo ndërkombëtare, janë prova se Shqipëria është në rrezikun e shndërrimit në shtet të kapur dhe vend të shitur.

Infrastruktura e sigurisë së Shqipërisë është në duart e tradhëtarëve te saj.

Çdo vonesë në rivendosjen e saj është një ditë më shumë për armiqtë e Shqipërisë dhe të Perëndimit.

Partia Demokratike thekson edhe një element tjetër, të cilin e ka kundërshtuar me forcë gjatë këtyre viteve: Platformën e “Ballkanit të hapur”.

Siç dëshmon thyerja e embargos me Rusinë, kjo ide nuk është gjë tjetër veçse një leje zyrtare për t’i bërë edhe më porozë kufijtë e NATO-s.

Për të qarkulluar në territorin e saj, infrastrukturë dhe interesa armike të Aleancës Veri – Atlantike.

Edi Rama është një rrezik për këtë siguri, sa kohë e vendos territorin dhe qeverinë e tij në shërbim të armiqve të kombit shqiptar.