Aksidentet rrugore kanë ndjekur tendencën rënëse edhe në muajin nëntor duke u ulur me 13.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Instituti i Statistikave raportoi se në muajin Nëntor 2022 numërohen 92 aksidente rrugore nga 106 të ndodhura në muajin Nëntor 2021.
“Numrii të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 117 persona nga 156 në muajin Nëntor 2021. Aksidentet rrugore, në 80,4 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 27,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Numri i aksidenteve rrugore për këtë grup-moshë është i njëjtë me numrin e aksidenteve rrugore në Nëntor 2021”vëren INSTAT.
Ndërkohë për njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2022, numërohen 1.060 aksidente rrugore nga 1.257 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 15,7 %. Numri i të aksidentuarve është 1.479 persona nga 1.726 persona të aksidentuar në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2021” thuhet në njoftimin e INSTAT.
Shkak kryesor për aksidentet vijon të mbetet sjellja e shofereve në timon ndërkohë duket se ka një ndërgjegjësim më të madh të këmbësorëve ku aksidentet që vijnë si pasojë e sjelljes së tyre ka shënuar rënie në 11-mujorin e këtij viti.
“ Aksidentet rrugore, në 13,7 % të rasteve, në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2022 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 24,9 %” thuhet në njoftim. MONITOR