Mëngjesi i së hënës nisi me shembjen e pallatit nr.4 në rrugën “Myslym Keta” në kryeqytet nga IKMT, pasi Instituti i Ndërtimit në bazë të ekspertizës teknike e shpalli të pabanueshëm dhe të rrezikshëm për banorët, për shkak të dëmtimeve të rënda në strukture që pësoi nga tërmeti i vitit 2019.
16 familje prej disa ditësh kanë qenë kundër këtij vendimi duke refuzuar që të lënë banesat. Nisur nga pretendimet e tyre, bashkia e Tiranës ka dërguar një shkresë pranë Institutit të Ndërtimit për rivlerësim të oponencës teknike dhe ka qenë pikërisht ky institucion që ka rikonfirmuar ekspertizën e vitit 2020, si një godinë e pabanueshme.
Edhe gjykata i ka dhënë të drejtë bashkisë së Tiranës, për prishjen e pallatit nr. 4 tek rruga “Myslym Keta”, duke rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike. Në total nga ky vendim preken 90 familje. 30 janë sistemuar tashmë në banesa të reja në pallatet e ndërtuara tek lagjja “5 maji” ndërsa 32 familje të tjera për pak ditë do të marrin banesa me të njëjtat metra katrorë që kishin më parë.