SPAK jep pretencën për Gentian Malindin, i akuzuar për trafikimin e 137 kg drogë. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 19 vjet burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 12 vjet e 8 muaj.
Malindi akuzohet si porositësi i 137 kg kokainë të kapura në portin e Durrësit. 46-vjeçari u arrestua në Vlorë më 27 tetor me akuzat për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Kuito”.
Operacioni ndërkombëtar i koduar “Kuito” u finalizua në shtator 2019, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese greke, në koordinim me zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Malindi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës (të arrestuar në shtator 2019), do të priste në Durrës, 137 kg lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua gjatë operacionit.
Kokaina u pikas nga policia greke, e cila ka bërë zëvendësimin e saj me oriz, në Portin e Pireut. Më pas, kanë mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e kontejnerit, deri në Durrës, për të zbuluar rrjetin e trafikut të kokainës.