Rreth një mijë shtetas shqiptarë kanë kërkuar mesatarisht azil çdo muaj në një nga vendet e Bashkimit Evropian, në periudhën janar-tetor 2022.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane për Azilin (EASO) publikuara së fundi vetëm në muajin tetor 1091 shtetas shqiptarë aplikuan për azil në vendet e Bashkimit Evropian.
Totali i aplikimeve për azil nga shqiptarët ishte në muajin tetor 1301, pasi 210 ishin aplikime përsëritëse.
Sipas të dhënave të EASO-s shkalla e njohjes ishte vetëm 5% dhe 4279 raste mbeten në pritje për t’u shqyrtuar.
Të dhënat e Agjencisë për Azil të Bashkimit Europian të përpunuara nga Zëri i Amerikës flasin se 10912 shtetas shqiptarë aplikuan për azil në vendet e Bashkimit Evropian nga janari në tetor të këtij viti.
Sipas të dhënave 8956 kërkesa për azil ishin për herë të parë, ndërsa 1956 kërkesa ishin përsëritëse.
Krahasuar me vitin 2021 numri i azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian pritet të jetë këtë vit më i lartë.
Në vitin 2021, nga Shqipëria aplikuan për azil rreth 11 mijë e dyqind persona, 77% e të cilëve e kishin aplikimin për azil për herë të parë.
Shqipëria ka nivelin më të lartë të azilkërkuesve ndër vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Agjencisë evropiane për Azilin vendet e BE-së morën rreth 106900 kërkesa për azil vetëm në tetor 2022 ndërsa aplikimet për azil arritën një nivel të ri që nga viti 2016.
Agjencia e Azilit e Bashkimit Evropain vlerëson në raportin e saj të fundit se në tetor, aplikimet ishin në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave për shtetësi të shumta, duke përfshirë turqit, tunizianët, marokenët dhe gjeorgjianët. Rusët dhe iranianët aplikuan më së shumti se këto vite vlerëson raporti i EASO-s.
Sipas raportit autoritetet e azilit të Bashkimit Evropian lëshuan rreth 54000 vendime të shkallës së parë në tetor ndërsa hendeku midis vendimeve të nxjerra dhe aplikimeve të paraqitura ishte më i madhi që nga viti 2015.
Si rezultat, thuhet në raport, çështjet në pritje në shkallë të parë u rritën ndjeshëm në 578 300 në fund të tetorit, një nivel i ri që nga viti 2017.
Shkalla e njohjes së Bashkimit Evropian mbeti në 37% në tetor. Normat e njohjes ishin veçanërisht të larta për ukrainasit, sirianët, eritreasit, bjellorusët, jemenasit etj./VOA