Akti normativ për buxhetin është një ndër çështjet në rendin e ditës për seancën e sotme plenare.

Gjatë fjalës së saj në foltoren e Parlamentit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Balluku është shprehur se “nuk ka asnjë hap më normal se rishikimi i një buxheti në fund të një viti, sidomos të një viti me një krizë ekonomike të këtij viti”.

Belinda Balluku: Të vish të flasësh në një vit krize si 2022 dhe t’i kërkosh qeverisë të mos rishikojë buxhetin dhe të mos rialokojë fondet, realisht mbetet vetëm retorikë poltike dhe asgjë më tepër. Pra, që sot në 2022 të flitet që ky duhet të ishte një vit ku buxheti nuk duhej të prekej, ndërkohë që vetëm çmimi i energjisë ka ndryshuar nga fillimi i vitit deri në 31 Gusht me 10-fishin e tij, unë realisht jam e habitur se si mund të përdoret edhe në këto momente për narrativë politike një çështje shumë e rëndësishme siç është akti normativ për rialokimin e buxhetit.

Nuk ka as projekte të reja dhe as projekte të pamenduara, por janë projektet që kanë filluar dhe duhet të financohen për të mos bërë gabimet që ju keni bërë në të shkuarën. Ne kemi pasur një kërkesë nga FMN-ja që në vitin 2019: Të mos krijohen debite gjatë vitit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Energjisënuk ka krijuar më asnjë debit nga situacionet e prodhuara vit pas viti. Ne nuk mbartim debite pas 2019-ës. Nuk ka asnjë hap më normal se rishikimi i një buxheti në fund të një viti, sidomos të një viti me një krizë ekonomike të këtij viti.

Gjithashtu minitrja Balluku ka cekur si të rëndësishëm shoqërinë Albgas, e cila sipas Ballukut është krijuar për shkak të projektit të TAP.

Belinda Balluku: Albgasi është një shoqëri e re, e krijuar për shkak të projektit të TAP-it e cila sot duhet të zhvillohet dhe t’i përgjigjet dhe partnerëve strategjikë që i janë ofruar. Ne kemi një kompani shtetërore e cila nuk ka kapital, ndërkohë duhet të vijnë kompanitë e tjera të bashkëinvestojnë me ne me një kompani e cila nuk ka asnjëlloj kapitali. Janë projekte të mirfillta, është projekti më i rëndëishmë sa i përket gazit. Gazi është një çështje gjeopolitike e lidhur me sigurinë publike.