Lëvizte në afërsi të një shkolle të mesme, në Mamurras, me një sasi lënde narkotike kokainë të ndarë në doza, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 54-vjeçarja.

Sekuestrohen dhjetëra doza lënde të dyshuar narkotike kokainë, të gatshme për shitje.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, kanë konstatuar dhe kanë goditur një rast tjetër të shpërndarjes së drogave të forta, në doza.

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasja M. Gj., 54 vjeçe, banuese në Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

54-vjeçarja u kap nga shërbimet e Policisë, në afërsi të një shkolle të mesme, në Mamurras, teksa po lëvizte me një automjet, ku pas kontrollit të ushtruar, iu gjet brenda tij një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.