Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Iranin, por paralajmëroi se është i gatshëm të përdorë forcën ushtarake nëse diplomacia dështon.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se preferon një zgjidhje diplomatike, por theksoi se SHBA-ja ka kapacitetin për të goditur infrastrukturën iraniane nëse është e nevojshme.

“Ose do të bëjmë një marrëveshje, ose do ta përfundojmë punën. Do të preferoja një marrëveshje, sepse nuk dua të prek 91 milionë njerëz”, u shpreh ai.

Presidenti amerikan përsëriti se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore, duke shtuar se nuk synon ndryshimin e regjimit në Teheran.

Më vonë, gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, Trump deklaroi se operacionet e fundit ushtarake amerikane kanë dobësuar ndjeshëm aftësitë ushtarake të Iranit, duke pretenduar se janë goditur marina, forca ajrore, sistemet e radarëve dhe drejtuesit ushtarakë të vendit.

Ai shtoi se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje, por theksoi se kjo duhet të jetë në përputhje me kushtin kryesor të SHBA-së: që Teherani të mos zhvillojë armë bërthamore.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Do të fitojmë në një mënyrë ose në tjetrën – në mënyrën e mirë ose në mënyrën jo të mirë”, deklaroi Trump.