Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, duke folur për sulmet kibernetike të raportuara ditët e fundit nga një bankë e nivelit të dytë tha se në bazë të komunikimeve që ka pasur, nga sulmi nuk ka pasur prekje të llogarive të qytetarëve. Ibrahimaj tha se sektori bankar është një prej atyre sektorëve që ka marrë masa që herët për t’u mbrojtur nga këto lloj sulmesh.
“Ka pasur njoftime që sektori bankar ka qenë i sulmuar nga ataket kibernetike. Unë dua t’ju siguroj që ka në muaj mbi 1 milionë sulme të cilat janë sulme të përditshme qoftë në sektorin privat, qoftë në atë publik. Tashmë lufta kibernetike është një luftë e cila është e prekshme, e cila prek çdo sektor, qoftë publik dhe privat, infrastrukturë kritike dhe jo kritike. Banka në fjalë ka bërë komunikimet e saj dhe në bazë të komunikimeve, por edhe komunikimeve që kemi pasur me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, nuk ka pasur prekje të llogarive të individëve. Sektori bankar është nga ato sektorë që ka marrë masa që herët, sa i përket sulmeve kibernetike dhe sigurisë kibernetike”.
Ministrja po ashtu tha se “qeveria shqiptare nga ana tjetër është duke ndërmarrë një reformë në këtë drejtim dhe duke ndërtuar të gjithë infrastrukturën e cila do të monitorojë të gjithë sulmet që do të vijnë në të ardhmen duke ndërtuar një rrjet shumë të mirë të monitorimit të gjithë këtyre sulmeve që mund të atakojnë në të ardhmen. Është një dukuri që ndodh në të gjithë vendet e botës pasi kjo është një lloj lufte e re, e erës së re”.