Media britanike “Daily Mail” ka zbuluar një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj britanike, për të marrë shqiptarët që vuajnë dënimin në Britani.
Pasditen e sotme tabloidi britanik shkruan se “kriminelët shqiptarë në burgjet britanike do të dërgohen në shtëpi për të vuajtur dënimin e tyre në një gjest vullneti të mirë për Vitin e Ri nga qeveria e Tiranës.
Pesëdhjetë të burgosur tashmë kanë dalë vullnetarë për t’u transferuar nga burgjet britanike në ato shqiptare si pjesë e marrëveshjes së re.
Dhjetë burrat e parë pritet të deportohen me avion çarter gjatë javëve të para të janarit”, shkruan Daily Mail.
“Është një ‘hap i parë’ për largimin e kriminelëve shqiptarë të burgosur, duke kursyer miliona paund para të taksapaguesve britanikë dhe duke krijuar hapësirë në burgjet e mbingarkuara”, shkruan me tej media britanike.
Daily Mail shkruan më tej se një burim nga qeveria shqiptare tha dje se bisedimet intensive mes Ministrisë së Drejtësisë së Britanisë dhe ministrit shqiptar Ulsi Manja, kanë çuar në një pakt për transferimet e para në burg.
“Ne kemi kapacitete të kufizuara në burgjet tona. Por për të treguar se jemi gati të përmbushim detyrimet tona ndaj Britanisë së Madhe, ne kemi rënë dakord të presim 50 shqiptarë që kanë shprehur gatishmërinë për t’u kthyer”, shtoi burimi.
Megjithëse grupi i parë i të dëbuarve kanë rënë dakord të kthehen, marrëveshja Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar thotë se të burgosurit mund të transferohen në të ardhmen pa pëlqimin e tyre.