Media britanike, “Daily Mail”, raporton se 50 kriminelë shqiptarë që aktualisht janë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar do të dërgohen në atdhe për të vuajtur dënimin e plotë si “një gjest vullneti të mirë për Vitin e Ri nga qeveria e Tiranës”. Raportohet se këta të burgosur kanë dalë vullnetarë që të transferoheshin nga burgjet britanike në ato shqiptare si pjesë e një marrëveshjeje të re. 10 të dënuarit e parë pritet që të deportohen me një avion charter gjatë javëve të para të janarit, zbulon “Daily Mail”.

“Është një “hap i parë” nga dy kombet drejt një rutine të lëvizjes së qindra të burgosurve shqiptarë, duke shpëtuar miliona paund nga paratë e taksapaguasve britanikë dhe duke krijuar hapësirë në burgjet e tejmbushura”, shkruan “Daily Mail”.

Sipas medias britanike, të gjithë të burgosurit që do të dërgohen në atdhe do të kryejnë dënimin e plotë që është vendosur nga gjykatësit në Mbretërinë e Bashkuar. Deri më tani, deportimet nga Zyra për Punët e Brendshme drejt Tiranës përfshinin kriminelë, të cilët kishin mbaruar dënimin në Britani ose kishin kaluar kanalin e “La Manshit” në mënyrë ilegale.

“Një burim i qeverisë shqiptare tha dje se bisedime intensive mes ministrit britanik të drejtësisë dhe ministrit shqiptar Ulsi Manja, kanë çuar në një marrëveshje për transferimet e para në burgje”, shkruan “Daily Mail”.

“Ne kemi kapacitete të kufizuara në burgjet tona. Por për të treguar se jemi gati të përmbushim detyrimet tona ndaj Britanisë së Madhe, ne kemi rënë dakord të presim 50 shqiptarë që kanë shprehur gatishmërinë për t’u kthyer”, shtoi burimi sipas “Daily Mail”.

Media britanike shkruan se shqiptarët përfaqësojnë 10% të të huajve që mbahen në burgjet e Anglisë dhe të Uellsit. Megjithëse grupi i parë i të dëbuarve kanë rënë dakord të kthehen, marrëveshja Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar thotë se të burgosurit mund të transferohen në të ardhmen edhe pa pëlqimin e tyre. Vendimet e gjykatës për ata që do të nisen në atdhe janë dërguar në Tiranë sepse marrëveshja thotë se Shqipëria duhet të marrë sigurinë se dënimi i tyre i përshtatet krimit përpara se të jepet drita jeshile për udhëtim.