Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të shtunë të japë detaje për “Pakon e Madhe”, e cila parashikon dhënien e një ndihme prej 8 miliardë lekësh për 1 milion shqiptarë në ditët e para të Janarit. Këtë herë kreu i qeverisë njoftoi se punonjësit e administratës me pagë nën 60 mijë lekë bruto do të përfitojnë 20 mijë lekë.
“Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë që 12.280 punonjës të administratës me pagë nën 60 mijë lekë bruto, duke nisur nga sanitaret, punëtorët e shërbimeve mbështetëse, shoferët, nëpunësit e shkallëve më të ulëta, do të përfitojnë nga vendimi i qeverisë për Pakon e Madhe një vlerë 20 000 Lekë (të reja), ju uroj të gjithëve të dashur miq gojëmbël e gojëthartë një ditë të fundit të vitit të paqme pranë familjeve tuaja”, shkruajti Rama.
Përgjatë gjithë ditës së premte, kryeministri ka publikuar një e nga një kategoritë që do të përfitojnë nga kjo pako. Kështu janë 695 mijë pensionistë që do të marrin në dorë nga 8 mijë lekë të reja secili. Të njëjtën shumë do ta përfitojnë edhe 71 mijë persona me aftësi të kufizuar. Rama zbuloi po ashtu se për këtë shtresë do të vijojë subvencionimi i çmimit të energjisë edhe për vitin 2023.
8 mijë lekë të reja do të përfitojë edhe çdo familje me ndihmë ekonomike. Në vend numërohen rreth 57 300 të tilla. Nga 20 mijë lekë të reja do të marrin edhe 6 700 gra kryefamiljare me ndihmë ekonomike. Më herët për to është vendosur të ketë dyfishim të ndihmës këtë vit, bonusit të Vitit të Ri si edhe pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore nga shteti duke nisur prej 1 janarit.
10 mijë lekë do të ketë edhe për punonjësit e policisë, ndërsa nga 20 mijë lekë do të përfitojnë zjarrfikësit dhe ushtarakët. Nga 10,000 Lekë ndihmë do të marrin arsimtarët dhe 20 mijë lekë do të përfitojnë infermierët.
Kryeministri Rama thotë se kjo paketë financiare do të shërbejë për të lehtësuar përballimin e krizës së çmimeve. Pakoja në total parashikon shpërndarjen e 800 milionë lekë të reja e cila do të fokusohet te individët dhe shtresat më në nevojë./