Gazetari Mentor Kikia në studion e lajmeve në MCN Live ka komentuar për mbledhjen dy ditore të qeverisë për të cilën u shpreh se nuk sjell asgjë të re, ndërsa theksoi se duhet të kishte një komunikim për planet në vijim.
Ai tha se shumica e ministrave në kabinet nuk dinë asgjë për vendimet e Ramës dhe se çdo gjë që ai thotë është e përkryer, ku sipas tij çdo urdhër që ai thotë nuk kundërshtohet dhe kontestohet.
“Keqardhje për atë mbledhje kaq të gjatë sepse qeveria vërtet ka thënë se nuk ka kohë për pushim por pak pushim duhet bërë. Nuk mendoj se mund të ketë ndonjë arsye madhore që të bëjë 16 orë mbledhje dhe të mos raportojë asnjë vendim.
Ndërsa ato shkarravina të kapura në fletoren e Ramës ishin ca gjëra që në analiza të tilla projektohen plane pune vjetore të cilat nuk mund të jenë plotësisht të reja, por vijim i projekteve të nisura për të cilën PS është votëbesuar nga elektorati për mandatin e saj të 3-të.
Këtu duhet të kishte një komunikim të plotë se cili do ishte plani, do duhet të bëhet një ballafaqim çfarë ishte thënë dhe nuk u bë, apo nuk u bë mirë në vitin që u mbyll. Ndërsa ajo që ne shohim në ato pamje të pakta të serviruara është një kabinet që sheh me adhurim Ramën që flet dhe duartrokasin kur ai mbyll fletoren, pra nuk sjell asgjë të re”, u shpreh Mentor Kikia.
Më tej ai shtoi se ndryshe nga herët e tjera kur ndryshimet parafliten paraprakisht, duket se Rama ka ngritur një kabinet qeveritar ku shumica prej tyre nuk dinin asgjë për vendimet që ai merr.
“Mund të them se dhe nëse ka nga ata që do shkarkohen sërish asnjë prej tyre nuk di gjë dhe shpreson që mos e kenë emrin në bllokun e zi.
Rama nuk konsultohet me asnjë, dhe nëse do bëhen ndryshime nuk mendoj se ato do prodhojnë ndryshim sepse ata në fund fare janë zbatues, Rama ja ka dalë ta krijojë kabinetin në atë formë ku çdo gjë që ai thotë është e përkryer, çdo urdhër që ai thotë nuk kundërshtohet dhe kontestohet.
Rama është regjisor shumë i mirë skenik dhe politik dhe mendoj se PS vazhdon të jetë rehat në aspektin e përballjes në raport me opozitën e cila është ende në agoni. Rama është ende komod në tryezën e tij, por po përpiqet që para publikut po mundimet të shesë kabinetin e tij me karburant të ri. Pastaj nëse kjo parti bie nga pushteti atëherë nis lufta civile brenda PS”, thekson gazetari.