Numri i policëve të arrestuar në Shqipëri gjatë vitit 2022 është rritur.

Nga Agjencia e Mbikëqyrjes mësohet se 313 punonjës policie janë vënë nën hetim gjatë 2022-shit, ndër të cilët 132 janë arrestuar.

Ndër rastet më të bujshme përmendim, arrestimin e efektivit të operacionales Jeton Lami, që dyshohet se ka ndihmuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj.

Nga hetimet që po kryhen për zhdukjen e Martinajt, efektivi Lami është lënë në burg  me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore.

Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar edhe nga Lami, i cili u prangos më 23 gusht nga policia e Lezhës.

Një tjetër ngjarje e rëndë që solli arrestimin e një oficeri është vdekja e 7 vjeçares Jonada Avdia në Plazhin e Potamit. Në pranga ra oficeri i policisë së Elbasanit, Arjan Tase, i cili i mori jetën me skaf në breg të detit vogëlushes. Sipas hetimeve të kryera ka rezultuar se Tase është futur në një perimetër ku nuk lejohen mjetet lundruese.