Dy persona nga Kosova, me banim në provincën e Alessandrias, në Itali, janë në qendër të një hetimi ndërkombëtar për pastrim parash të përfituara nga trafiku i drogës.
Çifti, i cili ishte nën hetim në Itali dhe u arrestua në Francë shtatorin e kaluar me mbi 50 kilogramë shufra ari të fshehura në një vend sekret të krijuar në automjet, dyshohet se kishte një rol kyç në transferimin dhe shndërrimin e shumave të mëdha të parave të ardhura nga narkotrafiku.
Sipas hetimeve të Guardia di Finanza, të koordinuara nga Prokuroria Antimafia e Milanos (DDA), brenda 10 muajve të paktën 18 milionë euro të mbledhura në Francë janë grumbulluar në banesën e çiftit në provincën e Alessandrias dhe më pas janë shndërruar në shufra dhe fletë ari, me ndihmën e personave që vepronin në sektorin e metaleve të çmuara në rajonet e Piemontes dhe Lombardisë.
Më pas, ari dyshohet se është transportuar jashtë Italisë, kryesisht në Kosovë, Turqi dhe Marok. Në Kosovë, autoritetet kanë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 1 milion euro, përfshirë llogari bankare, biznese, prona të paluajtshme dhe automjete luksoze.





