Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka folur në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt dhe hetimet për zbulimin e fatit të tij.
Në konferencën me gazetarët ai u shpreh se policia do të flasë vetëm kur të ketë një provë të fortë për zbulimin e rrethanave ndërsa paralelizoi këtë situatë edhe me raste të tjera në botë.
“Për të zbardhur gjithë këtë mjegull që është ngritur rreth fatit të Ervis Martinajt policia e shtetit vijon të bëjë punën për të zbardhur këtë ngjarje. Ju besoj keni qenë të informuar gjatë gjithë kësaj periudhe për veprime të ndryshme policore që ka ndërmarrë që lidhen me zbulimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarje. Policia e shtetit vepron sipas ligjeve.
Dhe nga policia e shtetit do të merrni përgjigje kur të merrni një provë të fortë se çfarë ka ngjarë në lidhje me këtë personazh.
Pastaj thashethemet e fjalët e llafet e skenaret është i lirë çdokush ti bëjë por nuk janë çështje e policisë nuk kanë një shkop magjik që t’i zbardhë menjëherë një situatë të caktuar kriminale aq më tepër me një personazh kaq të komplikuar të botës së krimit.
Historia botërore është e mbushur me raste të tilla ku figura të rëndësishme të krimit të organizuar në botë, ende e kësaj dite organet shtetërore nuk kanë një përgjigje për fatin e tyre përveç procedurave të zhdukjes. Unë të garantoj për një gjë që policia e shtetit merret çdo ditë me zbardhjen e kësaj historie”, deklaroi ai.