Detaje të reja mësohen në lidhje me vajzën 22-vjeçare nga Kenia, e cila prej muajsh ndodhet në gjendje kome në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Nëna e Joy-it ka deklaruar se Policia e ka informuar atë mbi hetimet që po kryhen për dhunimin e vajzës, ndërsa apeloi që vajza e saj të dërgohet jashtë vendit për trajtim të specializuar.
Sipas saj, vajza ka nevojë për trajtim të gjatë, por ajo që mbetet problem është kostoja e lartë e trajtimit të saj.
“Policia na ka informuar për ecurinë e hetimeve. Vajza hap sytë dhe bën ndonjë reagim instiktiv. Truri i saj vijon të jetë në gjendje gjumi. Duhet një spital i specializuar për të trajtuar gjendjen e vajzës. Vajza ka nevojë minimalisht për dhjetë muaj trajtim”, mësohet të jetë shprehur nëna e kenianes.
Përfaqësues të ambasadës keniane në Romë ishin sot në spitalin e Traumës ku vizituan vajzën dhe në komisariatin nr.1 të policisë, ku dhe kërkuan informacione mbi ngjarjen e rëndë.