Arrestohet në flagrancë pronari i një lokali në Fushë-Krujë, i cili pasi ishte proceduar penalisht 2 herë dhe ishte ndëshkuar disa herë me masë administrative, u konstatua sërish duke organizuar festa familjare në kundërshtim me Aktin Normativ.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, kanë konstatuar në territorin e DVP Durrës, konkretisht në Fushë-Krujë, subjektin në pronësi të shtetasit Xh. B., 46 vjeç, i cili kishte organizuar një festë familjare (fejesë), në kundërshtim me Aktin Normativ.
Ai u arrestua për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”.
Sipas policisë, në periudha të ndryshme kohore, 46-vjeçari është ndëshkuar disa herë me masa administrative, si dhe është proceduar 2 herë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke organizuar ceremoni martesore ose festa familjare në kundërshtim me Aktin Normativ.
Gjithashtu u procedua penalisht edhe DJ i lokalit, shtetasi N. H., 20 vjeç, të cilit uniformat blu i sekuestruan në cilësinë e provës materiale instrumentet muzikore.
Policia e Durrësit apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.





