Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Iballë – Berishë, në Pukë. Një automjet ka dalë jashtë rruge dhe si pasojë mbetën të plagosur 2 persona dhe 1 tjetër humbi jetën.

Viktima është drejtori i inspektoriatit të mbrojtjes së pyjeve në qarkun e Shkodrës, Mark Ndou. Të plagosurit janë punonjës të inspektoriatit të pyjeve të cilët ishin në këtë zonë për inspektim.

“Më datë 25.11.2020, ora 14:15, në fshatin Bugjon një mjet i IKMT Shkodër ka dalë nga rruga dhe si pasojë shtetasi M. N. 60 vjeç, banues në Shkodër ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasit A. B. dhe Ll. Gj. po dergohen drejt Spitalit të Traumës Tiranë.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe veprimet po kryhen me grup hetimor, për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje”,- njofton policia.

Mark Ndou prej 7 vitesh ishte në krye të Inspektoratit të Pyjeve, ndërsa më përpara ka qenë edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës nën siglën e Partisë Socialiste të Moderuar (PSM).