Sot është mbledhur grupi parlamentar i Partisë Demokratike. I pranishëm në këtë mbledhje është dhe Kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili gjatë fjalës së tij është shprehur se PD-ja është në një vit të një rëndësie vendimtare për demokracinë dhe pluralizmin.

Kryedemokrati Berisha thotë se me zgjedhjet vendore, PD duhet të përmbysë atë që Berisha e quan monizmi i plotë i Edi Ramës.

Sali Berisha: Ne, hyjmë në një vit të një rëndësie vendimtare për demokracinë, për pluralizmin, për shoqërinë shqiptare dhe PD, grupi ynë parlamentar, mbetet totalisht i përkushtuar për të përmbushur me përgjegjësi të plotë, me transparencë dhe guxim, detyrimet e tij madhore. Ne jemi në një moment shumë të rëndësishëm elektoral, kemi përpara zgjedhjet vendore, të cilat duhet të përmbysin monizmin e plotë në Shqipëri, të Edi Ramës. Është bërë një punë më transparentja në historinë e vendit dhe, kandidatët që ne paraqesim, janë sot, dalin para çdo qytetari shqiptar si kandidatë të vullnetit të lirë të anëtarësisë dhe simpatizantëve të PS. Kandidatët e tjerë janë kandidatë të shpellës, të hurit, se thonë në Durrës ka kërcitur sërish huri, janë kandidatë të grupeve kriminale, mafioze, janë kandidatë që përcaktohen tërësisht nga interesat e Edi Ramës dhe klaneve mafioze që e mbështesin.

Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Kryedemokrati Berisha është shprehur se PD është e vendosur të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë

Sali Berisha: Në këtë platformë do vazhdojmë edhe me këshilltarët, me parlamentarët, e vërteta është se kjo e ka tmerruar Edi Ramën. Këto zhvillime brenda PD, atë e kanë tronditur deri në palcë, pasi e sheh që betejën e ka të humbur. Ky tmerr ka bërë që ai të humbasë jo vetëm mendjen, logjikën, arsyen, por edhe të vazhdojë me flamurin e zi të një krimineli elektoral. Të dalë haptas me platformat e plaçkitjes së votës, e dhunimit para ekzekutimit paraprak. Të tregojë se është i aftë të bëjë gjithçka për të grabitur votat e qytetarëve shqiptarë. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryedemokrati Berisha është shprehur se Kryeministri “Rama ka ndërmarrë një sulm të paprecedentë kundër forcës politike kryesore politike opozitare” teksa ka shtuar se Rama mendon se mund ta mbajë peng këtë forcë politike.

Sali Berisha: Rama ka ndërmarrë një sulm të paprecedent kundër forcës kryesore politike opozitare, PD-së. Ai mendon se mund të mbajë peng këtë forcë, për çka e vërteta është se do mjerohet. Ai përpiqet që të bëjë çdo gjë, që forca jonë politike, në garën e ardhshme elektorale, të hyjë siç dëshiron ai. Edhe njëherë duhet të theksoj për qytetarët e këtij vendi, e vërteta është, lidhur me PD-në dhe regjistrimin e saj, se në përputhje me të gjitha standardet e një vendi të lirë, Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin e saj, plotësisht kushtetues, plotësisht ligjor. Ndaj dhe duhet t’u them qytetarëve, duhet t’u them demokratëve, të mos vendosin gishtin aty ku nuk qëndron. Gjykata ka bërë punën e saj. Në çdo vend të lirë, çdo grup qytetarësh që vendos të krijojë një shoqatë apo një parti, harton një rregullore apo status të vetin, plotëson kushtet ligjore dhe e dorëzon në gjykatë, e cila, pasi vërteton saktësinë e dokumenteve, përputhjen e statutit me parimet e Kushtetutës, vendos regjistrimin e saj. Në vendet diktatoriale kjo bëhet në ministrira. Unë kam qenë kardiolog, shoqata jonë e kardiologjisë regjistrohej në ministri. Statuti miratohej në ministri. Liria ia heq këtë të drejtë ekzekutivit dhe ia jep gjykatës për të garantuar autonominë dhe pavarësinë e shoqatave dhe partive.  Në Shqipëri kjo ka ndodhur. Gjykata më 25 mars ka vendosur, pasi e shtyu tre muaj.

Berisha: Rama po ndalon regjistrimin e aktit të gjykatës, ky është një urdhër stalinist

Kryedemokrati Berisha ka akuzuar Kryeministrin Rama për të cilin ka thënë se po ndalon regjistrimin e aktit të gjykatës për statutin e PD-së për të cilin ka thënë se ky është një urdhër stalinist.

Sali Berisha:Por çfarë ka ndodhur në Shqipëri? Edi Rama është ai që ndalon regjistrimin e aktit të gjykatës në regjistrin e partive politike, në një akt antidemokratik dhe diktatorial. Është vetëm Edi Rama që ai nuk lejon me një kancelar, me një sekretare, që ka detyrë absolutisht ligjore, të çojë aktin në regjistër. Kjo është e vërteta. Pra, nuk është problem gjykate, është problem Edi Rame. Është problem i atij, që ka ndaj pluralizmit politik të njëjtat armiqësore si i ati i tij, i cili si xhelat, firmoste në gusht të vitit 1988, varjen në litar të poetit që shprehej për të drejtat e njeriut. Pra, kemi të bëjmë me një urdhër stalinist të Edi Ramës, që nuk do që kjo parti të regjistrohet. E them këtë se konstatoj konfuzion në media. Por media dhe qytetarët duhet t’i përmbahen të vërtetës. Po kaq i shëmtuar bëhet akti i bashkëngjitjes për palë të atyre që kurrë nuk ishin palë. Të keqpërdorur nga Edi Rama.  Në çdo proces gjyqësor, palë janë ato që paraqesin pretendime në sallën e gjyqit. Në rastin e PD, çdo qytetar që kishte dyshimin më të vogël për këtë vendim gjykate, ka të drejtë të hapë proces gjyqësor, por kurrë të bëhet palë. Palë në atë vendim jemi vetëm ne, dhe ne kemi të drejtë të apelojmë. Por askush tjetër mbi tokë, përveçse në drejtësinë e Edi Ramës. Përdor një të keqpërdorur, një të keqshfrytëzuar në shkallën ekstreme, në mënyrën më të pamëshirë, duke shkelmuar mbi të, dhe e urdhëron të bëhet palë. Se në këtë mënyrë mund të prishet çdo proces gjyqësor në tokë.