Duke filluar nga dita e sotme, territori i Shqipërisë e sidomos veriu i vendit do të mbizotërohet nga reshje të dendura të shiut.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, në një deklaratë për mediat ku pasqyroi parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, bëri të ditur se qarqet e Shkodrës dhe të Kukësit do të preken nga reshje shumë intensive.
Po kështu edhe qarqet e tjera si Lezha, Dibra, Elbasani, Vlora e Gjirokastra do të kenë reshje intensive.
“Për ditën e sotme priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës. Reshje intensive në qarqet Dibër dhe Lezhë, mesatare deri lokalisht intensive në qarqet e tjera të vendit.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet pritet të shoqërohen dhe me shtrëngata. Reshje mesatare deri në intensive priten pothuajse në të gjitha zonat e tjera të vendit. Më të përqëndruara do të jenë dhe me intensitet më të lartë në veri të Shqipërisë. Prurjet në kaskadën e lumit Drin do të pësojnë rritje prej mëngjesit të ditës së sotme dhe do të vijojnë në rend rritës deri në datën 21 Janar për shkak të rikthimit të reshjeve të shiut me intensitet të lartë. Piku orar i prurjeve pritet të arrijë deri në vlerat për Fierzën 2500 m3/sekondë, në Koman 2200 m3/sekondë, Vau i Dejës 1100 m3/sekondë. Sipas llogaritjeve të modelit hidrologjik të lumit Drin, piku i orarit të prurjeve totale të lumit Drin gjatë këtij eventi hidrologjik pritet të arrijë në 5800 m3/sekondë”, deklaroi ministri Niko Peleshi.
Në këtë situatë, Peleshi u bëri thirrje strukturave të emergjencës dhe bashkive që të marrin masa për qytetarët dhe të qëndrojnë në gatishmëri për çdo situatë që mund të krijohet.