Virusi i quajtur sincicial ose RSV, po qarkullon prej disa javësh në vendin tonë. Në një deklaratë për mediat epidemiologu i ISHP Artan Simaku, është shprehur se virusi prek kryesisht fëmijët e vegjël dhe deri më tani është konfirmuar vetëm një rast i tillë.
Ai thekson ndër të tjera se RSV është një virus i zakonshëm në stinën ku jemi.
“RSV është një virus i zakonshëm stinor në stinën ku jemi. Kemi bashkëqarkullim dhe të viruseve të gripit AH1AH3 dhe B të Covidit. Është evidentuar një rast me virusin respirator sincicial. Aktualisht ky është një rast sporadik, rasti i vetëm i dyshuar që rezultoi pozitiv”, ka thënë epidemiologu i ISHP Artan Simaku.
Ndër të tjera epidemiologu ka shpjeguar simptomat e RSV-së.
“Klinika është e ngjashme me gripin dhe zakonisht është e lehtë, por në raste të veçanta, mund të jetë dhe një klinikë e rëndë. Rreth ditës së 3-5 shkakton vështirësi në frymëmarrje dhe gjithashtu ulje të oreksit tek fëmijët e vegjël dhe shkakton bronkit dhe bronkolite”, ka thënë Simaku.
ISHP thekson se aktualisht në të gjithë vendin tonë po mbizotëron qarkullimi i gripit.