Ministria e Mbrojtjes ka informuar këtë të mërkurë për situatën e krijuar në vendin tonë nga reshjet e dendura të shiut.

Përmes një njoftimi ministria e Mbrojtjes bën me dije se reshjet me intensitet të lartë të rëna gjatë natës, fatmirësisht nuk kanë shkaktuar situata përmbytjesh në asnjë zonë të territorit të vendit, falë edhe masave të marra në kohë.

Megjithatë thuhet se bashkitë Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Durrës e Elbasan do të jenë në monitorim të prurjeve të lumenjve në orët në vijim, pasi sipas parashikimeve piku i prurjeve do të arrihet në datën 20 Janar. Nën monitorim është situata edhe në zonat malore, ku ka pasur reshje bore.

Po punohet në disa akse nga punonjësit e ARRSH për pastrimin e rrugëve nga inertet dhe nga forcat e OSHEE për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në disa njësi administrative.

Forcat e Armatosura kanë të angazhuara në nivel kombëtar 1200 forca dhe 450 mjete së bashku me shërbimin zjarrfikës, atë mjekësor, Policinë e Shtetit për të ndërhyrë në çdo rast nevoje.

Gjithashtu ministria u ka bërë thirrje qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore për ndihmë.