Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pasi ka përshëndetur denoncimin e Partisë së Lirisë dje për inceneratorët, pohoi se kryeministri Edi Rama është kreu i një organizate kriminale që pasurohet me paratë e shqiptarëve.
Berisha tha në një deklaratë për mediat se Rama mashtroi nën hetim dhe betim në Komisionin e ngritur për këtë çështje.
“Afera e djegësve është një aferë supermafioze e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar direkt nga Edi Rama. Të drejtuar, të udhëhequr nga Edi Rama. Një hetim i hollësishëm, serioz, i dokumentuar, i publikuar dje nga Partia e Lirisë, dëshmon në mënyrë përfundimtare denoncimin që kemi bërë me dhjetra herë në dy vitet e fundit. Rama është kreu i organizatës kriminale dhe fusha e plehrave në Sharrë është kthyer në minierë pasurimi për kryeministrit dhe Veliajn. Dje u faktua se Rama për sipërmarrjen e tij me të cilën pret çdo ditë euro, ka mashtruar publikisht dhe nën betim. Edi Rama është kreu i organizatës kriminale të djegësve që po përvetësojnë qindra mln euro, kjo faktohet në mënyrën më të pakundërshtueshme me firmën e tij për kontratën e djegësve, kontratë që është negociuar dhe firmosur në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me praktikat e prokurimeve. Edi Rama ka firmosur një kontratë në shkelje të çdo parimi, vetëm se ai zgjodhi plehrat për t’u bërë milioner dhe më shumë se milioner. Ai zgjodhi plehrat për të kryesuar mafien e tyre. Ai firmosi pasi autoriteti kombëtar i prokurimeve në mënyrë të përsëritur i dërgoi shkresën sipas së cilës tha se kjo është antiligjore.”, tha Berisha.