Serbia nuk do ta njohë Kosovën edhe për shumë kohë. Gjatë një interviste për median amerikane Bloomberg para samitit të davosit, Presidenti aleksandar vuçic ka theksuar se në dialogun mes dy vendeve është e pamundur të arrihen rezultate të mëdha e të shpejta.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar se nga dialogu me Kosovën nuk mund të priten rezultate të shpejta dhe se njohja nuk është një proces i lehtë.
Gjatë një interviste me kompaninë mediatike amerikane Bloomberg, presidenti serb ka theksuar se “është shumë më realiste të ecim përpara me hapa të vegjël, sesa të presim ndonjë marrëveshje të madhe dhe të shpejtë që do të përfshinte njohjen e Kosovës nga Serbia”.
“Ne duhet të ndryshojmë situatën në terren me hapa të vegjël, të ndërtojmë besimin midis dy palëve dhe më pas të shohim se si mund t’i qasemi çdo gjëje tjetër. Nuk duhet të ëndërrojmë për diçka që të gjithë e dimë se nuk do të ndodhë,” tha ai.
Presidenti i Serbisë ka folur edhe për raportin me Rusinë, duke theksuar se i është mirënjohës Moskës për mbështetjen e saj në lidhje me Kosovën. Megjithatë Vuçic ka theksuar se nuk e mbështet pushtimin e Rusisë në Ukrainë, megjithëse I njeh zonat e aneksuara si territori rus.
“Ne thamë që në fillim se nuk jemi në gjendje dhe se nuk mund të mbështesim pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Për ne, Krimea është Ukrainë, dhe Donbasi është Ukrainë dhe kështu do të mbetet,” tha ai.
Vuçiç, për të cilin Bloomberg thotë se ka pasur dhjetëra takime me presidentin rus Vladimir Putin në vitet e mëparshme dhe ka marrë mësime ruse për të folur rusisht me të, tha se me liderin rus nuk ka folur “për disa muaj”.
Sipas medias amerikane Serbia po largohet ekonomikisht nga “orbita ruse” dhe se Rusia ka një peshë prej rreth gjashtë përqind në tregtinë e jashtme të vendit ballkanik ndërsa BE-ja është deri tani partneri më i madh.
Megjithatë, Bloomberg thekson se Serbia ende dallon me qëndrimin e saj ndaj Rusisë, pasi kompania ajrore Air Serbia nuk ka anuluar fluturimet direkte dhe shumë rusë kanë ardhur në Beograd që nga fillimi i pushtimit në Ukrainë.





