Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi mbrëmjen e sotme se reshjet e dendura të shiut pritet të vazhdojnë në vendin tonë.
Teksa bëri bilancn e situatës në terren nga përmbytjet, Peleshi u bëri apel qytetarëve të bëjnë kujdes, ndërsa tha se
Lumi Vjosa është pranë niveleve kritike dhe se ka shtim të përmbytjeve në zonat e Nënshkodrës.
Ministri bëri me dije se shkarkimet në HEC-e po bëhen në mënyrë të kujdesshme nga KESH-I dhe se niveli i liqenit të Shkodrës është dhe gjysmë metri nga kuota kritike dhe se lumi Buna ka dalë nga shtrati.
“Priten reshje të dendura shiu në vend. Lumi Vjosa është pranë niveleve kritike. Ka shtim të përmbytjeve në zonat e Nënshkodrës.
Shkarkimet po bëhen në mënyrë të kujdesshme nga KESH. Gjatë ditës së djeshme përmendën dhe shkëputjet e energjisë elektrike. Ka pasur disa ndërprerje në zona të Shkodrës, Kukësit, apo dhe në Korçë. Sa i përket kuotave të lumenjve, Osumi është në rënie.
Në Urën e Varur, ky lum është në kuota normale. Drini në Shkodër, është në kuotë normale. Niveli i liqenit të Shkodrës është dhe gjysmë metri nga kuota kritike. Buna ka dalë nga shtrati. Në Lezhë kemi pasur disa vërshime në disa rrugë të qytetit”, tha Peleshi.