Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytje në Bashkinë Shkodër. Sipas raportit për ditën e sotme, sipërfaqja totale e përmbytur në këtë bashki është 1100 hektarë, situatë kjo e pandryshuar që nga ora 18:00 e datës së djeshme (19 Janar).

1100 hektarët e përmbytur i përkasin Njësisë Administrative Ana e Malit.

Niveli i lumit Drin (hidrometri ura e Bahçallëkut) shënon kuotën 6.15 me një rënie prej 40 centimetrash me orën 18:00 të datës 19.01.2023 (kuota maksimale 7.50 metra).

Niveli i liqenit (hidrometri ura e Bunës) shënon 8.10 metra me një rritje prej 5 centimetrash me orën 18:00 të datës 19.01.2023 (kuota maksimale 8.70 metra).

Rruga e Obotit ka prezencë uji 55 centimetra, e pandryshuar me orën 18:00 e datës 19.01.2023. Në rrugën e Obotit po operon  një mjet i kalueshmërisë së lartë së bashku me 4 forca të ushtrisë. Ndërkohë ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit.

Ndërkohë, reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat malore. Akset rrugore në rrethin e Pukës nuk kanë probleme, në Qafë- Mali ka prezencë të borës me trashësi rreth 5 centimetra pa shkaktuar probleme për qarkullimin e mjeteve.  Ndërkohë aksi Koplik-Qafë-Thore-Theth i kalueshëm me zinxhirë.