Reshje shiu me intensitet të ulët dhe dëborë në lartësitë mbi 1.000 metër kanë vazhduar gjatë natës dhe sot në qarkun e Gjirokastrës.

Në bashkinë Këlcyrë mbetet problematike rrëshqitja e trupit të rrugës në hyrje të qytetit Këlcyrë dhe rrëshqitja e një segmenti në një rrugë në fshatin Katundisht në njësinë administrative Dëshnicë, ka mungesë të energjisë në fshatin Fshat i Ri në njësinë administrative Sukë.

Aksi Kardhiq-Delvinë ka pasur probleme të vogla me shembjen e dherave që po mbahen në kontroll aktualisht. Në bashkinë Gjirokastër ka bllokim të rrugëve Kolonjë-Golëm dhe Kolonjë-Medar, ndërsa pritet të nisë puna për pastrimin e inerteve. Në aksin rrugor Erind Çajup ka prezencë të borës, ndërkohë që në bashkitë Tepelenë dhe Memaliaj dhe Libohovë nuk kanë situata emergjente.

Niveli i Vjosës në pikmatjen e urës së Memaliajt është 3.4 metër. Niveli i Vjosës në pikmatjen e urës Përmet është 2.6 metër.