Situata në Qarkun e Dibrës nga moti i keq është normalizuar. Gjatë natës janë ndërprerë reshjet dhe kanë nisur pas orës 8:00 të ditës së sotme. Në lartësinë mbi 800 metra mbi nivelin e detit ka prezencë të borës.
Rrugët kombëtare janë të kalueshme pa probleme. Në pikën më të lartë të Rrugës së Arbrit, segmenti i bypassit të Qafës së Murrizit për momentin nuk ka reshje dhe nuk shfaqen probleme.
Aksi Peshkopi – Kukës ka prezencë të borës. nga Njësia Administrative Sllovë deri në Vasie, rruga është e kalueshme, por autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin goma dimërore dhe të vendosin zinxhirët në rast nevoje.
Peshkopi – Lurë është e pakalueshme pasi trashësia e borës kalon 20 centimetra në Lan Lurë. Aksi Ura e Çerenecit-Librazhd kalohet normal deri në Klenjë, ndërsa nga Klenja drejt Steblevës bëhet me zinxhirë. Deri në këto momente nuk ka zona të izoluara. Furnizimi me energji elektrike ka qenë normal.