Detaje të reja janë zbardhur nga dosje hetimore e SPAK për zbardhjen e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj dhe Aleksandër Lahos, ngjarje ku mbeti i vdekur Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit.

Burime bëjnë me dije për Klan News se masat për disa nga personat e arrestuar janë marrë në nëntor dhe më pas të dytat në muajin dhjetor të viti të shkuar, por janë mbajtur sekret pasi prokurorët kishin informacione se eksponentët e kësaj ngjarjeje që janë shpallur në kërkim ishin duke diskutuar për t’u kthyer në Shqipëri.

Po i njëjti burim thekson se 9 të dyshuarit u zbuluan në bazë të përgjimeve dhe provave digjitale pasi ata po bëheshin gati për të kryer një tjetër atentat ndaj Aleksandër Lahos i njohur si “Rumi i Shijakut”. Përplasja mes grupeve kriminale në qytetin e Durrësit vitet e fundit po kryehet për shkak të tjetërsimit të pronave në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Prokuroria e Posaçme po i ruan “top sekret” informacionet për këtë ngjarje pasi kanë dyshime se këta persona janë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale. Gjatë zhvillimit të seancës në Gjykatën e Posaçme, 5 personat e arrestuar kanë mohuar kategorikisht që të jenë të përfshirë në këtë ngjarje. Gjithashtu Bashkim Haxhija i ka bërë me dije gjykatës që në atë kohë ai ka qenë në qeli për një tjetër ngjarje.

Por në njoftimin e SPAK thuhet se janë dokumentuar me prova veprimet që kanë kryer 9 të dyshuarit para gjatë dhe pas atentatit të 1 Nëntorit të 2019. Gjykata konfirmoi sot masën e sigurisë arrest në burg për Bashkim Haxhija, Marsel Decka, Endrit Sinani, Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku dhe Juljan Pjetrin. /Klan News