Oficerët e Policisë Gjyqësore janë nisur këtë të mërkurë nga Tirana në drejtim të Lezhës, në shtëpinë e të ndjerit Aleks Nika. Mësohet babai dhe xhaxhai i Nikës do të pyeten për ngjarjen e 21 Janarit 2011, pas pretendimeve se disponojnë audiopërgjimin e Gardës.

Gazetari Artan Hoxha publikoi transkriptet për herë të parë më 20 janar 2023, sipas të cilave gardistët kishin marrë urdhër të hapnin zjarr me plumba të vërtetë në drejtim të protestuesve. Ai u thirr në polici dhe atje ka deklaruar se kasetën audio e disponon xhaxhai i Aleks Nikës në Lezhë.

Menjëherë, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës dhe në kuadër të hetimeve të reja që kanë nisur për katër vrasjet e 21 Janarit, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë shkuar në shtëpinë e Nikës dhe po marrin në pyetje xhaxhain dhe babain e tij.

Më herët, në një deklaratë për mediat Mark Nika është shprehur se nuk ka besim te Prokuroria e Tiranës, ndaj nuk e ka dorëzuar materialin. Dje, ai takoi dhe kreun e SPAK Altin Dumani, të cilit i kërkoi të merrte në kompetencë hetimin e katër vrasjeve.