Pa mbushur ende një vit nga koha kur Interi pagoi 27 milionë euro në total për të transferuar në Milano fantazistin danez Christian Eriksen, ky i fundit duhet të bëjë gati valixhet për t’u larguar sërish nga zikaltrit.

Ndryshe nga pritshmëritë e mëdha, ish-futbollisti i Tottenhem nuk ia doli të përshtatet me futbollin italian dhe pas Antonio Contes të shtunën, dje ishte administratori i Interit, Giuseppe Marotta që konfirmoi situatën e vështirë të danezit.

“Conte e tha qartë, që vendimet merren për të mirë të klubit dhe Eriksen do të luajë kur të vendosë trajneri. Ai është një profesionist dhe është në dispozicion të skuadrës. Nuk e di çfarë do të ndodhë në janar, pasi nuk kemi asnjë ofertë zyrtare për të, por mund t’u them me siguri që nuk duam të mbajmë asnjë lojtar jashtë dëshirës së tij”, tha Marotta dje para ndeshjes me Torinon.

Edhe ndaj “granatave” danezi nuk luajti asnjë minutë, pasi ndonëse doli në nxehje, në fund Conte preferoi të aktivizojë belgun Radja Nainggolan, ndërsa tani zikaltrit po studiojnë mundësinë për të përfituar sa më shumë nga largimi i tij.

Megjithatë duke qenë se në merkaton e janarit është e vështirë të gjesh një ekip të gatshëm për të paguar shifra të mëdha, te Interi po marrin në konsideratë opsionin e shkëmbimit me ndonjë element cilësor.