Deputetja e Partisë së Lirisë është paraqitur sot pranë zyrave të SPAK-ut për të dhënë dëshminë e saj në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Kujtojmë se ditë më herët deputetja ka denoncuar me anë të videove të realizuara me dron, gjëndjen dhe menyrën e punës së inceneratorit. Ndërsa për inceneratorët e Fierit, Durrësit, Elbasanit hetimet kanë përfunduar, për atë të Tiranës hetimet vazhdojnë.

Para pak ditësh në një reagim për FaxNews Monika Kryemadhi deklaroi se: “Nuk na kishte mbetur gjë tjetër, por vetëm për ta faktuar atë se çfarë ndodhi. Denoncimi që kemi bërë sa i takon kontratës, tashmë ne e realizuam me fakte se çfarë ndodh vërtet në të gjithë procesin e mbledhjes dhe groposjen e mbeturinave. Ky investigim është bërë për t’i dhënë qytetarëve se çfarë ndodh vërtet. Tashmë ky prezantim i fakteve të reja, mendoj se nuk ka më asnjë lloj dileme, së pari për të hedhur poshtë propagandën dhe nga ana tjetër besoj se vendos para përgjegjësisë të gjitha institucioneve që të reagojnë, e para psh ndërprerja e pagesave”, tha ajo.