Kremlini ka akuzuar ish-kryeministrin britanik Boris Johnson se ka gënjyer kur tha se Presidenti Vladimir Putin e kishte kërcënuar atë me një sulm raketor gjatë një telefonate në prag të pushtimit të Ukrainës.

Johnson, duke folur për BBC-në për një dokumentar, tha se udhëheqësi rus kishte paralajmëruar se mund të lëshonte një raketë në Downing St. për ta vrarë atë ‘në një minutë’.

“Ai më kërcënoi në një moment dhe më tha: “Boris, nuk dua të të lëndoj, por me një raketë, do të duhej vetëm një minutë ose diçka e tillë,” tha Johnson.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka reaguar sot, duke u thënë gazetarëve se Johnson i kishte fabrikuar akuzat.

“Ajo që tha zoti Johnson nuk është e vërtetë. Më saktë është gënjeshtër… Nuk ka pasur kërcënime me raketa”, deklaroi Peskov.

Johnson pretendon se kërcënimi befasues i Putinit u bë në shkurt të vitit të kaluar pasi ish-kryeministri vizitoi Kievin për të siguruar presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky se Britania do të mbështeste vendin e tij nëse Rusia do të pushtonte.

Johnson tha se ai kishte “një telefonatë shumë të gjatë, të jashtëzakonshme” me Putinin pas kthimit të tij në Britani, në një kohë kur presidenti rus po mohonte publikisht se ai kishte planifikuar të pushtonte Ukrainën, pavarësisht se kishte grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në kufijtë e saj. në Rusi dhe Bjellorusi.