SPAK ka kërkuar nga deputeti demokrat, Gazmend Bardhi, të paraqesë akt padinë për ish-zyrtarin e FBI-së, McGonigal.
Deputeti i është përgjigjur SPKA-ut.
Në letërkëmbimin me kreun e SPAK, Altin Dumani, Bardhi shkruan se ka besim që kjo strukturë do të kryejë një hetim të plotë dhe të pavarur.
“Shpresojmë të kryeni një hetim të plotë, të gjithanshëm dhe të pavarur mbi këtë çështje”, shprehet Bardhi.
Arrestimi i ish-agjentit të FBI-së në New York ka bërë bujë të madhe në Shqipëri. Kjo sepse ai akuzohet edhe se ka marrë 225,000 dollarë para në dorë nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare në këmbim të promovimit të interesave të tij të biznesit.
Gjithashtu, pas bërjes publike të dosjes, rezulton se Charles McGonigal në vitin 2017 ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili ka qenë sekret.
Në lidhje me këtë ngjarje, ka reaguar deputeti i PD, Gazment Bardhi duke thënë se ish-agjenti është korruptuar nga Rama për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.
Bardhi tha se ky është akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, ndërsa bën me dije se i është drejtuar SPAK-ut duke i kërkuar nisjen e hetimeve për organizatë kriminale që sipas tij drejtohet nga kryeministri Edi Rama.