Presidenti çek Petr Pavel ka deklaruar se Ukraina duhet të lejohet që të bashkohet me NATO-n sapo të përfundojë lufta. Në një intervistë për BBC News, Pavel tha se Ukraina do të ishte moralisht e gatshme që të bashkohej me aleancën perëndimore pasi të kishte përfunduar konflikti.

“Ushtria ukrainase do të jetë ndoshta ushtria më me përvojë në Evropë. Ukraina meriton të jetë pjesë e një komuniteti të vendeve demokratike”, tha presidenti çek.

“Përfshirë NATO-n?”, e pyeti gazetari.

“Unë besoj se ata me të vërtetë e meritojnë atë‘, tha ai.

Në intervistën e tij të parë për një media ndërkombëtare që nga zgjedhja e tij si president, Pavel deklaroi se duhet të ketë një mbështetje të fortë ushtarake perëndimore për Kievin duke thënë se nuk duhet të ketë asnjë kufi për atë që vendet duhet të dërgojnë.

Presidenti çek Pavel tha se dërgimi i avionëve luftarakë perëndimorë si F-16 për të nuk ishte tabu, por ai nuk ishte i sigurt se ato mund të dorëzoheshin në një afat kohor që mund të ishte i dobishëm për të.

Presidenti i SHBA, Joe Biden e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të F-16 këtë javë, megjithëse presidenti francez Macron ka deklaruar se asgjë nuk përjashtohet.

“Jam krenar që vendi im është një nga të parët që i ka ofruar Ukrainës ndihmë të konsiderueshme ushtarake”, tha Pavel për BBC.

Republika Çeke ishte vendi i parë perëndimor që dërgoi tanke dhe automjete luftarake të këmbësorisë – T72 dhe BMP1 të dizajnuara nga sovjetikët në Kiev