Pasi kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla tha se Kryeministri ia ka deleguar ministres Spiropali mbajtjen e interpelancës me opozitën përsa i përket çështjes “McGonigal”, kjo nuk është pranuar nga opozita, të cilët kanë kërkuar kryeministrin Rama.

Pasi kryeparlamentarja Nikolla ka njoftuar se në këto kushte, interpelanca pezullohet, deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Parlamentit e madje deputeti Gazment Bardhi është përjashtuar nga seanca plenare.

Duke qenë se opozita bllokoi foltoren, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kërkuar ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin menjëherë në votim të projektligjeve në rendin e ditës.

Taulant Balla: Ka vetëm një person në hetim, siç raportojnë mediat amerikanë që është një ish-zyrtar i FBI-së. Bëni këtu gjykatën dhe fshiheni pas gishtit. Jeni porositur që të mos lini zhvillimin normal të parlamentit. Jeni duke kryer porositë e non gratës tuaj dhe kjo nuk është salla ku bëhet vetëgjyqësia, kjo është salla ku bëhen diskutimet e Kuvendit të Shqipërisë. Bazuar në rregullore, propozoj ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin menjëherë në votim siç parashikon rregullorja.